BLIRI
✤ (Tilia platyphyllos, Scop.) Dru i familjes së blirëve (Tiliaceae) deri 40 m i lartë, me gjethe të rënshme, në trajtë zemre nga poshtë, në të gjithë sipërfaqen me push të imët dhe në qoshet e nervuara me tufa qimesh të bardha, lulesa me 2-5 (zakonisht me 3) lule të bardhëreme, të ngjitura me një bisht në mes të një ndajgjethi, lulëzon në qershor-korrik. Bën frutin një sferë me push 8-10 mm që piqet në tetor. B. rritet në të gjithë Evropën, në Siberi etj. Në Shqipëri rritet në pyje me pakicë; kudo i përzier me lloje të tjera drurësh fletorë në zonën e shkurreve mesdhetare dhe të dushkut, por dhe si dru zbukurues. Shumëzohet me përpajnë, më rrallë me farë dhe me copa degësh, jeton deri në 200-300 vjet. Druja e B. me ngjyrë të bardhë të verdhëreme është e lehtë, e butë, përdoret për përgatitjen e lodrave të fëmijëve. Lulet me erë të këndshme përdoren nga mjekësia popullore si çaj kundër kollës, si qetësues i dhembjeve të stomakut etj. Lulet kanë shumë nektar dhe mjalti prej tyre ka shije dhe aromë të këndshme. Farat përmbajnë rreth 12% vaj si ai i bajames.

(Mu. D.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Bliri


[cite]