LEVREKU
✤ (Dicentranchus labrax L.). Peshk grabitqar i familjes së levrekëve (SerranideaX me trup hoshtor të gjatë deri 1 m e peshë 12 kg, të mbuluar me luspa të vogla, me pendë shpinore ngjyrë hiri të çelët, anësore e në pjesën barkore ngjyrë qumështi në të argjendtë. L. është peshk i zakonshëm në gjolet bregdetare, në ujëra të ëmbla hyn për kullotje. Jeton në ujëra me temp. 10-30°C, shumëzohet në muajt e dimrit në det në zonat shkëmbore e ranore. Ndeshet dendur në detin Mesdhe, në Adriatik e Jon, ndërsa në bregdetin shqiptar nga Durrësi deri në Shëngjin, si dhe në liqenin e Shkodrës. Është një nga peshqit e parë që hyjnë në gjolet e gotullat bregdetare e deri në liqenin e Shkodrës. Peshkohet kryesisht në dimër në dajlane, me vallkoj e rrahça, në bregdet e gjole me paranca, vallkoj e grepa. Ka mish të shijshëm e me vlera të mëdha (me përmbajtje të lartë proteinike, përdoret në ushqim kryesisht i freskët). Ka filluar shtimi artificial i L. dhe sot punohet për sigurimin e të vegjëlve dhe rritjen e drejtuar për konsum.

(N.R.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Levreku


[cite]